• |
ide | kryesore

Teatri i Erion Veliajt me policin dhe gazetaren e dhunuar

I pakategorizuar
image.jpeg



Ngjarjet e sotme që shfokusuan vëmendjen nga kauza e shoqërisë civile kundër parkut të Bashkisë, tek incidenti me gazetaren dhe policin, kanë ngritur dyshime të forta se janë episode të inskenuara. Fillimisht u tha se protestuesit kishin dhunuar një polic i cili humbi ndjenjat, por asnjë nga dëshmitarët okularë të lapsi.al nuk e pohoi këtë version. Ata që u gjendën pranë efektivit Dritan Hardhia në momentin e këputjes në tokë, thanë për lapsi.al se polici nuk ishte fare mes turmës, madje i veçuar. "Nuk e kuptuam fare çfarë pati, ai u rrëzua duke qenë mirë e bukur", tha një dëshmitar. Nuk kaloi shumë kohë dhe kryebashkiaku Veliaj njoftoi mediat për prononcimin para Spitalit, ku dënoi sulmin ndaj policit, i cili "rastisi" të ishte një aktivist i shoqërisë civile. Erion Veliaj e nisi rrëfimin e tij në televizion, 1 orë e gjysmë pas ngjarjes, duke thënë se efektivin e njihte familjarisht. E ëma e Dritanit punonte në maternitet, ndërsa polici vetë, udhëhiqte klubin e biçikletave. Veliaj akuzoi protestuesit se e kishin dhunuar me lopata policin, por kamerat nuk i lejoi të vizitonin të dhunuarin brenda dhomës. Po të kemi parasysh investimin e kryetarit të bashkisë për të reklamuar në media qoftë edhe ndërrimin e pusetave, plagët e Dritan Hardhisë do qenë triumfi i tij përballë atyre që i quan, vandalë. Por me sa duket, zogu nuk i kishte ardhur tamam në dorë.

Sigurisht që Veliaj nuk u mjaftua me kaq, ai e vazhdoi teatrin me gazetaren e Report Tv. Ndonëse raportoi direkt gjatë gjithë protestës, pa shfaqur shenja lëndimi prej rrëzimit nga një tjetër polic i cili e shtyu në tokë, Florinda Merko pas disa orësh u shfaq në spital krah kryetarit të Bashkisë. Jo vetëm gazetarja e Report Tv u bë pjesë e inskenimit, por për të rritur dozën e populizmit Erion Veliaj thirri në ndihmë dhe mamanë e policit Dritan Hardhija, e cila "rastisi"' të ishte infermjerja e cila e shoqëroi kryetarin në shtratin e gazetares së Report Tv. E gjithë kjo, në përpjekje për të ulur përmasat e skandalit dhe në ndihmë të shfaqjes së tij në sy të publikut, solidar me gazetaren e dhunuar.