• |
ide | kryesore

Gjermania përgënjeshtron Edi Ramën/ Azilantët nuk vinë nga Greqia

I pakategorizuar
azilantet1.jpg



Zyra Federale Gjermane për Azil dhe Migracion (BAMF), në një prononcim ekskluziv për AbcNews, deklaroi se ajo nuk ka asnjë të dhënë se shumica e azilkërkuesve shqiptarë janë emigrantë në Greqi dhe ikin prej andej drejt Gjermanisë për shkak të krizës greke. Versioni grek, i disati që ka dhënë deri më sot Tirana zyrtare, u deklarua publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe më pas u mbështet nga ministri i tij i Brendshëm, në një tentativë për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë për këtë eksod.
Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, kryeministri shqiptar e përsëriti këtë qëndrim të tij për gazetën "Der Standard", ku në një intervistë, emigrantët shqiptarë ia bëri dalje Greqisë. "Shumë shqiptarë që shkojnë në Gjermani vijnë kryesisht nga Greqia. Ata kanë banuar atje për vite të tëra si emigrantë dhe përpiqen tashmë në Gjermani. Natyrisht që vijnë disa edhe nga Shqipëria, Serbia ose Kosova", tha Edi Rama, duke i cilësuar "disa" mijëra shqiptarë që ikin nga vendi.
Por një ditë pas samitit të Vjenës, ku tema e azilkërkuesve zuri një vend kryesor, Zyra Federale Gjermane për Azil dhe Migracion tha se ajo nuk kanë asnjë indikacion që azilkërkuesit nga Shqipëria janë emigrantë nga Greqia. BAMF, që është autoriteti kryesor për azilkërkuesit në Gjermani, reagoi në lidhje me deklaratën e Edi Ramës, duke thënë se kjo nuk është gjendja e vertetë. “Në Gjermani nuk ka asnjë shenjë se shumica e azilkërkuesve shqiptarë janë ish emigrantë nga Greqia. Është e mundur që Greqia të jetë përdorur si një rrugë tranzite. Por nga intervistat e azilit që kryen nga Zyra Federale, rezulton se shumica e azilkërkuesve nga Shqipëria janë shqiptarë etnikë dhe që kanë jetuar në ato zona të Shqipërisë ku ka një ekonomi të dobët”, sqaroi Zyra e Azilit.
BAMF, në prononcimin e saj reagoi gjithashtu edhe në lidhjë me deklaratën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tha se shqiptarët largohen për përfitime sociale në Gjermani. Sipas Zyrës Federale Gjermane për Azil dhe Migracion, kjo nuk është arsyja përse largohen shqiptarët. 
“Informacioni që ne mbledhim nga intervistat tona për azil, tregon se azilkërkuesit shqiptarë janë të vetëdijshëm se ata nuk kanë arsye për të përfituar azilin. Por arsyeja e tyre kryesore për të ardhur në Gjermani, është shpresa për një jetë më të mirë dhe hyrja në tregun e punës këtu”, u shpreh Kira Gehrmann, zëdhënësi i Zyrës për Migracion dhe Azil. 
BAMF reagoi edhe për kërkesen e ministrit Tahiri, i cili kërkoi bashkëpunimin e Gjermanisë për të ndarë statistikat mbi qytetet e origjinës të azilkërkuesve dhe rrugët që ata zgjedhin për të udhetuar drejt Gjermanisë. Sipas BAMF një kërkesë e tillë nuk mund të plotësohet nga zyra federale për shkak se statistikat të tilla nuk mblidhen. /lapsi.al/