• |
ide | kryesore

Reagimi i Sejdinit dhe prapaskenat e shantazhit ndaj gazetarit

I pakategorizuar
sejdini.jpg



Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, reagoi ndaj videos së transmetuar në ABC News ku ai shfaqet duke kërcënuar një gazetar për largim nga puna, për shkak të marrëdhënieve që kishte me pronarin e medias ku ai punonte. Sejdini, që kandidon për PS –në për një mandat të tretë në Elbasan e ka pranuar që biseda ka ndodhur, por thotë se anuk bhet fjalë për shantazh.

“Asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk kam pasur nevojë të "shantazhojë" ndonjë gazetar, apo botues e pronar mediash, për të emëruar apo shkarkuar ndonjë prej tyre, pasi në tetë vite drejtim në Bashkinë e Elbasanit, kam krijuar me ta, një raport të shkëlqyer komunikimi e bashkëpunimi”, thuhet në ragimin e kryebashkiakut të Elbasanit.

Ai e quan këtë një përpjekje të kundështarit të tij për ta dëmtuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Sejdini sqaron se biseda mes tij dhe gazetarit është zhvilluar vitin e kaluar, por thotë se bëhet fjalë për “një nga takimet” e tij “me gazetarët”.

Por cilat janë prapaskenat e kësaj bisede që gazetari e regjistroi në kamera?

Së pari nuk bëhet fjalë për konferencë shtypi, siç thuhej sot në gazetën Tema, apo për takime me gazetarë në shumës siç thotë Sejdini, por për një intervistë.

Është e vertëtë që ajo është regjistruar vitin e kaluar, por gazetari e ka mbajtur të fshehtë nga frika se do të pushohej nga puna, ashtu siç Sejdini i thotë se ka ndodhur me një koleg të tijin. Së dyti, gaztari nuk është i TV Klan apo ABC News siç thuhej në gazetën Tema, por i një televizioni lokal në Elbasan, identiteti i të cilit nuk është bërë publik me kërkesë të vetë gazetarit. Në videon e plotë thuhet edhe emri i plotë i tij dhe i pronarit të medias ku ai punonte.

Së treti, në rastin e gazetarit të pushuar nga puna, që Sejdini e përmend në bisedë, bëhet fjalë për gazetarin R.T, i cili ka qenë correspondent i Ora Neës. Përplasja mes këtij televizioni dhe Sejdinit në atë kohë, dihet, sikundër edhe largimi i R.T nga puna.

Gazetarja që po ashtu përmendet nga Sejdini si “zonja e vogël” është B.R që e zëvendësoi gazetarin e larguar nga puna në Ora Neës.

Sejdini betohet se do të vazhdojë të ketë marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunimi me gazetarët edhe pas 22 qershorit. Ndërsa publikimin e videos e quan ndërhyrje në një proces zgjedhor dhe për këtë inkurajon shoqatat e gazetarëve që ta shohin me prioritet këtë rast që sipas tij po përdoret politikisht. Largimin nga puna të gazetarit që e përmend në video, Sejdini e ka anashkaluar, a thua se nuk ishte ai thelbi i bisedës që po zhvillonte me gazetarin që regjistroi bisedën e tij.

Reagimi i plotë i Qazim Sejdinit

Duke marrë shkas nga reagimi  publik për një pasazh videoje që po qarkullon në disa televizione dhe media online,  më duhet të sqaroj se:

Biseda e sinqertë dhe informale është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar.

Kam shkëmbyer mendime dhe kam dëgjuar shqetësimet e gazetarëve gjatë atij takimi, dhe më vjen keq, që, pasi i dëgjova shqetësimet e tyre, ajo copëz bisedë konstatimi po shfrytëzohet politikisht dhe ka dalë nga konteksti real i deklaruar në atë takim i vitit të kaluar.

Ndjej keqardhje për keqkuptimet e krijuara në mediat qendrore, pasi besoj se gazetarët me të cilët punoj në qytetin e Elbasanit në mënyrë të përditshme, e dinë shumë mirë rrethanën e bisedave që ne po bënim edhe për zhvillimin dhe ecurinë e medias në tranzicionin shqiptar, ku, sikurse të gjithë e dimë, edhe gazetarët, siç  evidentojnë vetë organizatat e tyre, kanë probleme.

Asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk kam pasur nevojë të "shantazhojë" ndonjë gazetar, apo botues e pronar mediash, për të emëruar apo shkarkuar ndonjë prej tyre, pasi në tetë vite drejtim në Bashkinë e Elbasanit, kam krijuar me ta, një raport të shkëlqyer komunikimi e bashkëpunimi.

Bashkia e Elbasanit, është një institucion i hapur për gazetarët; mbledhjet e Këshillit Bashkiak ku unë marr pjesë gjithmonë, janë mbledhje të hapura. Zyra e shtypit e bashkisë së Elbasanit, është një urë komunikimi mes meje si kryebashkiak dhe qytetarëve, jo vetëm në Elbasan, por edhe më gjerë.

Kam mbështetur trajnime, organizime dhe seminare për fuqizimin e medias, dhe kam inkurajuar profesionalizmin në radhët e tyre.

Ndjej keqardhje, që janë mediat tashmë, që nëpërmjet asaj copëze bisede të shkëputur nga konteksti i saj i vërtet, po përdoren për qëllime politike, duke ndërhyrë ditën e fundit në fushatën zgjedhore.

Përdorimi i këtij fakti tre ditë përpara zgjedhjeve, nga ana e opozitës dhe mediave të lidhura me të, flet qartë për përpjekjet e dëshpëruara të kandidatit rival dhe mbështetësve të tij  në qytetin e Elbasanit, për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore, dhe ky, është shantazhi real.

Pas datës 22 qershor, sigurisht do të vazhdoj të kem marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunumi, jo vetëm me gazetarët lokalë në qytetin e Elbasanit, por edhe me shoqatat dhe organizatat e gazetarëve.

Nga ana tjetër, inkurajoj shoqatat e gazetarëve, që të shikojnë me prioritet këtë rast, që përdoret politikisht, për të thënë edhe ato fjalën e tyre, sesi mund të ndërhyhet në një proces zgjedhor.

 

Qazim SEJDINI