• |
ide | kryesore

Muhameti kalon Check- point Charlie

Arkiva, Ide
blushi.jpg



Një vit më parë në këtë  kohë, isha duke shkruar një libër për pesimizmin dhe pasojat e tij mpirëse në shoqërinë tonë. Megjithëse do doja të isha gabim, koha nuk ka provuar ende se kam qenë duke parë gishtin. E kisha parë hënën, pavarësisht se s’mund t’i numëroja të gjitha retë që e rrethonin.
 
Evropa mbetet një kontinent pesimist, Mesdheu është një liqen i ndotur nga të gjitha mbetjet e shekullit të kaluar, nga papunësia dhe rebelimi politik si në Greqi, nga  terrorizmi akut, si në Francë, nga autokracia dëshpëruese si në Turqi, nga konfliktet etnike si në Palestinë, nga luftërat fetare si në Siri, nga gjumi i mirëqënies pa ëndrra si në Slloveni, nga kapriçot e politikës hedoniste si në Itali, ndërsa Shqiperia, që është edhe në liqen edhe në continent, jeton prej disa kohësh në shenjën e Henës, pra në pesimizem dhe do t’i duhen vite për të ndryshuar shenjë.
 
Një nga gjërat që kam shkruar është se pesimizmi është një virus, pra një sëmundje e përkohshme, një prishje humori që i kap shoqëritë herë pas here, ashtu siç preken trupat nga virozat apo gripet e stinës dhe se, si të gjitha virozat, ai mund të kurohet më ndryshime graduale, të imitueshme dhe të blera lirë në tregun e reformave të botës.
Por këtë  javë jam bindur se ngjarje si ajo e Charlie Hebdo mund të jenë një shpëtim, një kapërcim, një pikë kthese, deri diku e ngjashme më check- point Charlie në Berlin, pra një derë nga e cila, duke ardhur nga ngrica dhe izolimi, kalon në një klime më të zbutur dhe më të durueshme, efekt të cilin e kanë provuar të gjithë ata që përgjatë dyzet viteve kaluan nga një anë e murit të Berlinit në anën tjeter.
Ky krahasim natyrisht çalon, sepse në fakt Charlie Hebdo më shumë se check- point Charlie që ishte një derë e palëvizshme, i ngjan një komete që përplaset më shpejtesi dhe për shkak të befasisë, forcës dhe tronditjes ndryshon gjithë ekosistemin dhe sjelljen e gjallesave që sulmon. Ajo që dua të them është se, ndoshta Charlie Hebdo mund t’i japë botës energjinë që i jep kometa: pra t’i sigurojë një trupi statik, lëvizjen e munguar të reformave, nevojën për të marrë masa parandaluese dhe sigurisht optimizmin e duhur bestyt se është në natyrën e njeriut të bëjë mirë edhe kur ben keq.
Me pak fjalë ajo që besoj është se Charlie Hebdo mund të ndikojë në transformime të shpejta të botës ku jetojmë dhe dua ta shpjegoj pse:
Duke nisur më Evropën. Ndryshe nga çfarë parashikohet pra, se Charlie Hebdo mund të favorizojë partitë ekstremiste kryesisht të djathta që po vetafrohen për t’i siguruar Evropës një korracë të nevojshme mbrojtëse përballë rrezikut të emigracionit dhe islamizimit, efekti mund  të jetë i kundërt sepse ka gjasa të arsyeshme se Charlie Hebdo nuk do jetë lapsi që i skicon rrugën ekstremizmit por viza e kufirit të tij.
Megjithëse kanë arsye të jenë të frikësuar nga vala e dhunshme e emigracionit, që shërben si urë e terrorizmit, popujt e Evropës kanë poaq arsye të gjejnë dalje dhe shpëtim duke transformuar elitat e tyre politike nga brenda pa i zëvendësuar ato më eksperimente të djathta dhe të panjohura siç është rasti në Francë, Angli dhe shumë shpejt edhe në Gjermani. Eshtë e vërtetë se dominimi i gjatë dhe i rreptë fiskal i Gjermanisë, kriza ekonomike, kufizimet financiare dhe papunësia i kanë lodhur të gjithë, por kjo lodhje dhe ky dëshpërim jo detyrimisht mund dhe do të çojnë në triumfin e ekstremit të djathtë. Lidershpi tradicional dhe i pluhurosur evropian, që nuk përfaqëson as luftën e ftohtë mekanike, as të tashmen teknologjike dhe aq më pak të nesërmen robotike, mund të transformohet nga brenda më elita më optimiste të cilat mund t’i sigurojnë Evropës pozitat e konkurrencës së humbur më tregjet emergjente të botës. Evropa ka vuajtur shumë për t’u plagosur, ka lexuar dhe shkruar shumë për vetëvrasjen, ka vizatuar aq shumë natyrën e ndryshueshme të njeriut dhe sigurisht ka aq pasuri sa për të kuptuar se mbyllja, fshehja dhe izolimi më shumë dëmton guackën sesa detin.
Besoj se Charlie Hebdo ka ardhur për t’ia dhënë këtë  mundësi. Ai do ta shtyjë Evropën të kërkojë ndryshimin e çarçafëve dhe jo të krevatit, pra të transformojë dhe jo të zhvendosë kursin e saj ekonomik dhe politik, së pari duke u hapur dhe jo duke u mbyllur ndaj islamit, së dyti duke zbutur raportet më Rusinë që në këtë kontekst marrin një rendesi jetike sepse një pjesë tjetër e botës që mund të ndryshojë nga Charlie Hebdo është vetë Rusia.
Evropa po e kupton se aciditeti më Rusinë është i pafrytshëm dhe madje helmues. Vetë Evropa e pas Charlie Hebdos do t’ia japë Rusisë këtë  mundësi duke ia lehtësuar sanksionet që po ia rrënojnë ekonominë duke çimentuar pushtetin e njeriut që duan të dobësojnë: Vladimir Putinit.
Opozita që lind nga shtresat e mesme është gjëja për të cilën Rusia ka më shumë nevojë sot. Por të dyja, edhe opozita edhe klasat e mesme, siberizohen dhe ngrijnë më shumë nga kufizimet dhe në të kundërt gjallërohen dhe marrin mobilitet nga liria.
Në historinë moderne saksionet nuk kanë rezultuar asnjëherë të frytshme qoftë në rastin e Iranit dhe Kubës dhe aq më pak të Koresë së Veriut si binjake e vetme e Shqipërisë që kemi jetuar. Sanksionet nuk e kanë rrëzuar dot rregjimin e ajatollaheve në Iran, ato nuk krijuan terren për opozitat në Kubë dhe përkundrazi e lanë dyzet vjet në këmbë komunizmin në Shqipëri, që ndryshe nga të gjitha rregjimet që flasim, i vuri sanksione botës si përgjigje paradoksale të një reciprociteti që nuk ekzistonte. 
Evropa dhe Rusia kanë sot më shumë nevojë se kurrë për njëra tjetrën sepse kriza dhe beteja e gjatë më terrorizmin do të kërkojë aleatë të mëdhenj dhe të mobilizuar, kushte të cilat Rusia është gati t’i përmbushë duke kërkuar në shkëmbim që ushtritë rivale të NATO-s të mos u afrohen kufijve të saj. Në këtë  llogjike Putini mund të jetë viktima e parë e shpejtë e Charlie Hebdo sepse liria dhe demokracia janë kundërshtarët e tij më të vështirë dhe më të fortë dhe për fat të mirë të dyja kanë sensin e duhur të humorit.
Ndërkaq Islami do pësojë ndikimin më të madh nga Charlie Hebdo sepse ai ka marrë goditjen më të fortë. Natyrisht që bota nuk pret që Islami të reformohet brenda ditës, të nxjerrë gratë nga perdet në dritë dhe t’u  japë mundësi popujve që i besojnë të votojne lirisht për të zgjedhur udhëheqësit që duan. Do duhet shumë kohë që islami të demokratizohet por këtë  nuk e kërkon askush prej tij. Të paktën jo që nesër. Dhe jo menjëherë.
Ajo që pritet është prakticiteti i islamit, pra kalimi nga një gjendje hyjnore në një gjendje humane. Një islam praktik do të ishte më i dobishem se një Islam i ri, por një islam i ri nuk do të ishte detyrimisht praktik. Ai do t’i garantonte fuqi gjithë botës islame dhe do t’i jepte  armëpushim gjithë botës jashtë islamit.
Çështja ku në ngaterrohemi sot, nuk është reformimi i Kuranit si normë hyjnore por i interpretuesve të tij tokësore. Ata duhet të ndryshojnë metodën e leximit. Vetëm kaq. Dhe leximi si akt është më i lehtë se vizatimi pasi nuk kërkon modele që mund të kthehen në objekte idhujtarie duke konkurruar Zotin dhe shumë më paqesor se humori ngaqë nuk të nxit të qeshësh kur nuk do dhe kur nuk duhet. Leximi kërkon vetëm vullnet dhe dritë, çka islami i ka por edhe nëse nuk i ka në masën që duhet, mund t’i marrë borxh përkohësisht në historinë e iluminizmit perëndimor, çka përbën në fakt edhe refuzimin e tij të madh. Ngërçin e tij të pakapërcyeshëm.
Islami nuk do të marrë borxh dritë në perendim. E refuzon duke u rrotulluar rreth vetes më paranojën e një planeti që nuk do të kthehet në satelit dhe prandaj sapo është goditur nga një komete.
Këtu gabohet.
Askush nuk pret që Muhameti të flasë ndryshe nga çka folur, sepse Kurani nuk është lost in translation, nuk është një gabim në përkthim, nuk është një libër që mund ta korrektosh, por gjithë bota po pret që interpretuesit e tij të pranojnë se në fund të fundit profeti ka qenë një njeri praktik që u adoptua me kushtet e kohës kur jetonte dhe prandaj ky është një shembull i thjeshtë për t’u ndjekur dhe ndoshta i vetmi shembull që mund të ndiqet pa sakrifica të panevojshme. 
Natyrisht Evropa duhet ta ndihmojë Islamin të reformohet gradualisht, duke i hequr presionin, frikën e asimilimit, paragjykimet, kushtëzimet postkolonialiste dhe po ashtu duke i njohur aftësinë praktike, avantazhet decentralizuese dhe autonominë e brendshme, kaq e nevojshme për të modernizuar një doktrinë që mund t’i kthehet misionit të vet primar: garantimit të paqes mbi një planet ku disa duan të lexojnë, disa duan të shkruajnë, disa duan të vizatojnë, disa duan të filmojnë të parët dhe shumë të tjerë nuk duan asgjë nga këto, prandaj janë të çliruar nga torturat e mendimit dhe bëjnë selfie. 
Para Charlie Hebdo gjithë këto pritshmëri ishin utopike për shkak se bota levizte më një shpejtësi të llogaritshme që e maste reformimin me metrin e pesimizmit të djeshëm dhe më peshën e frikës së sotme.
Por Charlie Hebdo nuk është reformin ai është transfomim dhe pas tij nuk do jetë më si ka qenë, sepse Charlie ka ndryshuar shpejtësinë e mendimit të botës më befasinë e tij dhe prandaj i shurdhuar nga zhurma, i palosur nga fuqia dhe i plagosur nga dhimbja e tij, këto ditë kam patur vegimin tim për Charlie Hebdo dhe ja çfarë është:
Nëse Charlie Hebdo mund të jetë një kometë transformuese për Evropën, për Rusinë mund të shërbejë me funksionin e tij të parë, të jetë karikaturë e një sistemi që mund të ndryshojë nga humori i opozitave, ndërsa për Islamin ai mund të kthehet vërtet në një check- point Charlie, pra një derë nga lindja në perëndim, ku për herë të parë mund të kalojë vetë Muhameti, të cilin të gjithë po e presim me ankth dhe nderim për t’i bërë pyetjen përvëluese: Muhamet a mund të të bëj një vizatim?
Ben Blushi
Ky shkrim është shkruar për lapsi.al. Te gjitha të drejtat janë të www.lapsi.al