• |
ide | kryesore

Miti qesharak i 8 dhjetorit

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Ajo që ka ndodhur në 8 dhjetorin e një çerek shekulli më parë, po i nënshtrohet për vite me rradhë një mistifikimi të turpshëm, pak a shumë ashtu sikurse ndodh me datat që i paraprijnë, ato të festës së Pavarësisë dhe asaj të çlirimit.

Sa herë mbërrijnë këto data të rëndësishme të historisë së shkurtër të shtetit tonë, shumica e  popullit kënaqet duke festuar disa gjysmë të vërteta, që fshehin një pjesë të rëndësishme të historisë reale të këtij vendi. Kështu çdo 28 nëntor ne dëgjojmë për aktin heroik të firmëtarëve të Pavarësisë, për rrugëtimin e ndritur të Ismail Qemalit dhe të burrave të tjerë që u mblodhën në Vlorë, por, gjithnjë si padashur, harrojmë të rrëfejmë të gjithë historinë. Ngurrojmë të tregojmë se kur u nis nga Stambolli, “plaku  urtë i Vlorës” nuk kishte ndërmend pavarësinë e vendit, por thjesht një autonomi nën sovranitetin e Perandorisë Otomane, të cilën tashmë e kishin braktisur prej vitesh të gjithë fqinjët tanë. Ne dëgjojmë rrallë gjithashtu për faktin se vendimi për këtë pavarësi u mor në Vjenë dhe Budapest dhe se Ismail Qemalin e detyroi të shkonte drejt idesë të mëvetësisë, më tepër interesi gjeopolitik i Perandorisë Austro- Hungareze, sesa ndonjë bindje e tij e brendshme, apo ndonjë lëvizje nga poshtë.

Po kështu ndodh edhe me “festën” tjetër, atë të 29 Nëntorit. Miti se Shqipëria ishte i vetmi vend i pa çliruar nga ndonjë fuqi e huaj, madje ai se partizanët tanë i dhanë lirinë edhe një pjese të Jugosllavisë, vazhdon të mbretërojë ende. Në fakt harrohet të thuhet se në kushte normale nuk do të kishte pasur mundësi as ta imagjinonim ballafaqimin me trupat hitleriane. Harrohet të thuhet se në fund të fundit, ata u tërhoqën vetë nga Shqipëria në kuadër të një tërheqjeje të përgjigjthme. Natyrisht që pati një pjesë luftëtarësh që ua bënë më të vështirë këtë tërheqje dhe që u renditën në anën e duhur, në raport në luftën kundër fuqive të boshtit. Por vetëm kaq, pjesa tjetër ishte një betejë për pushtetin e ardhshëm më tepër sesa një luftë çlirimtare.  Prandaj ideja se vendi çlirua nga forcat partizane është thjesht një mit. Ashtu sikurse është e tillë fabula e një dëshmori për çdo kilometër katror.

Në kuadër të kësaj mitologjie po tentohet të fiksohet në histori edhe data 8 dhjetor, e cila është në fakt një ngjarje shumë më komplekse sesa ngritja e disa studentëve dhe shfaqja e një tribuni që përmbysën komunizmin. Më shumë sesa një lëvizje nga poshtë, fundi i diktaturës së proletariatit në Shqipëri, ka të ngjarë të ketë qenë një lëvizje e dirigjuar nga lart. Të tmerruar nga ajo që i kishte ndodhur një vit më parë diktatorit rumun Nikolae Causheksu, Ramiz Alia dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, u përpoqën vetëm për një gjë: të shpëtonin nga gijotina personale duke shmangur gjakderdhjen kolektive. Pikërisht për këtë ata filluan vetë procesin e krijimit të “opozitarëve” të nesërm.

Dhe për ta mbështetur këtë tezë ka më shumë sesa një pandehmë.  Sa nga drejtuesit e rinj të PD-së së krijuar ishin ende anëtarë të PPSH-së, të cilët u katapultuan nga një parti tek tjetra? Sa prej tyre, siç tregoi historia e mëvonshme rezultuan agjentë të sigurimit? Pse Ramiz Alia vajti vetë të takonte mbrëmjen e 8 dhjetorit një grup të vogël studentësh protestues (ngjarje e padëgjuar kjo në një shtet diktatorial) për t’i penguar apo për t’u dhënë vizibilitet?

Po të shikosh edhe njëherë me kujdes pamjet e takimit të studentëve me Ramiz Alinë, që shfaqet pa reshtur çdo fillim dhjetori, vëren me hidhërim se ai flet më shumë dhe më qartë për pluralizmin, sesa të gjithë ata që mendohet se ishin opozitarët e tij të parë. Dhe këta opozitarë të parë e vazhduan misionin e tyre edhe më gjatë. Që në ditën e parë të themelimit të PD-së, Alia u përshëndet si ish komandanti partizan që sot po udhëhiqte proceset demokratizuese. Edhe në ditët në vijim, edhe pas kaosit të rënies së monumentit të Enver Hoxhës, drejtues të lartë të partisë së parë opozitare citonin mësimet e presidentit Alia në fjalimet e tyre.

Natyrisht një gjë e tillë nuk zgjati shumë. Të futurit e braktisën padronin. Si gjithnjë rrjedha e historisë i tejkaloi projektuesit e saj. Endërra e udhëheqësve komunistë për një demokraci të dirigjuar, ku opozita do të drejtohej nga të përzgjedhurit e sigurimit, rezultoi dritëshkurtër dhe e paefektshme. Sepse revolucioni fallco i planifikuar nga lart, përfundoi në një shndërrim radikal dhe të vërtetë. Por, për historinë ai mbetet aty. Në rastin më të keq si një tentativë e dështuar.

Ndaj kur e kujtojmë sot, ne duhet të flasim dhe për të. Nuk duhet të përmendim thjesht ata studentë që u ngritën, ata tribunë që u prinë, sepse historia nuk është vetëm pronë e tyre. Natyrisht që atyre u mbetet merita më të madhe. Natyrisht që ata, me bindje apo për rastësi, u renditën në anën e duhur të historisë. Perceptuan kahun dhe zgjodhën rrugën e drejtë. Por vetëm kaq.   

Duke shkuar më përtej, biem në një mistifikim qesharak. Ashtu sikurse bëjmë kur përmendim “burrat e Vlorës” duke mohuar shkaqet që i bënë ata bashkë. Ashtu sikurse bëjmë kur flasim “partizanët çlirimtarë”, duke harruar kontekstin e përgjithshëm.  

Natyrisht, ky mistifikim i momenteve themeluese të historisë së shtetit shqiptar ka arsyet e veta. Ai ka të bëjë sa me mungesën e vullnetit tonë për vetëkritikë, po aq dhe me manipulimin e ngjarjeve për arsye politike të ditës. Por nëse për historitë pesëdhjetëvjecare apo tashmë shekullore, zhbërja e këtij fallciteti, është më e vështrirë, për shkak të bashkëjetësës së gjatë me të, për ngjarje si ato të dhjetorit ’90 është krejt ndryshe. Sepse si protagonistët edhe dëshmitarët e tyre janë ende gjallë. Prandaj dhe përpjekja për t’i sublimuar, apo për t’i heroizuar ato, fatkeqësisht i qesharakëzon.